Site icon Telegrafi

Borrell: Thërras Kosovën dhe Serbinë për intensifikim të punës për marrëveshje gjithëpërfshirëse

Shefi i Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, në Samitin Bërdo ka takuar kryeministrin Albin Kurti.

Përmes një shkrimi në Twitter, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë më shumë drejt marrëveshjes përfundimtare.

“Diskutuam marrëveshjen e javës së kaluar në mes të Beogradit dhe Prishtinës me Albin Kurtin – si hap i rëndësishëm që duhet implementuar”, ka shkruar ai.

“Thërras të dyja palët që ta intensifikojnë punën për marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative për normalizim të marrëdhënieve me ndërmjetësimin e dialogut nga BE”.

Kryeministri Kurti pas takimit me presidentin serb Vuçiq ka thënë se është diskutuar për Procesin e Berlinit; lëvizja e lirë dhe njohja e diplomave.

Lexo po ashtu Vuçiq thotë se u takua me Kurtin: Do ta vazhdojmë dialogun, tema e parë do të jetë Asociacioni

Kurti ka shkruar se Kosova mbështet të gjitha marrëveshjet të cilat të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Në takimin me kancelaren Angela Merkel, presidentin Emmanuel Macron dhe presidentin e Serbisë ne folëm për Procesin e Berlinit, lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave. Ne mbështesim marrëveshjet në të cilat të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor trajtohen si të barabarta dhe qytetarët janë përfituesit e fundit”, ka shkruar ai në Twitter.

Ndërkaq Vuçiq  tha se “do të vazhdojmë dialogun, dhe tema e parë duhet të jetë Asociacioni i Komunave Serbe (ZSO)”.

Lexo po ashtu Kurti thotë se me Vuçiqin është biseduar për Procesin e Berlinit, lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave

“Sigurisht, ne do të vazhdojmë dialogun, por tema e parë duhet të jetë Asociacioni i Komunave Serbe, ashtu siç ishte shkruar në deklaratën e BE-së”, tha Vuçiq, transmeton Telegrafi.

Vuçiq ka shtuar se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa zgjidhur çështjet me Kosovën.

Ai iu referua gjithashtu zgjerimit, duke thënë “disa nuk donin të jepnin një datë, sepse disa kanë zgjedhje në vendet e tyre në periudhën e ardhshme në Evropën Perëndimore”. /Telegrafi/

Exit mobile version