Telegrafi

Borrell pret në New York liderët e Ballkanit Perëndimor

Në Nju Jork u hap për herë të parë pas dy vjetësh me pjesëmarrjen në sallë të udhëheqësve botërorë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Liderët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin e kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, janë takuar sonte në New York me ftesë të shefit të diplomacisë në BE, Joseph Borrell.

Fotografia e përbashkët tashmë është publikuar, dhe mes tyre janë parë të pranishëm edhe kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe të tjerë.

Në seancën hapëse, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u ra kambanave të alarmit të martën për krizat e shumta globale.

Ai tha se vendet e botës janë “bllokuar në një mosfunksionim kolosal global” dhe nuk janë të përgatitura dhe as nuk kanë vullnetin të trajtojnë sfidat kryesore që kërcënojnë të ardhmen e njerëzimit dhe fatin e planetit.

Shefi i OKB-së e vuri theksin tek lufta në Ukrainë, konfliktet e shumta në mbarë botën, urgjencën klimatike, situatën e rëndë financiare të vendeve në zhvillim dhe hapat pas në objektivat e OKB-së si eliminimi i varfërisë ekstreme dhe arsimi cilësor për të gjithë fëmijët./Telegrafi/