Telegrafi

Borrell: Në BE, gjuha dhe identiteti maqedonas mbeten të mbrojtura

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Josep Borrell, tha sot në fillim të konferencës për shtyp në Bruksel, se Maqedonia po fillon Negociatat me identitet të plotë dhe të pacënueshëm, ku gjuha dhe identiteti mbeten të mbrojtura.

“Nuk do ta humbisni identitetin tuaj në rrugën drejt BE-së. Askush nuk e humbi. Nuk duhen konkluzione për ta ditur këtë”, tha përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell.

Siç theksoi Borell, maqedonasit nuk duhet të kenë frikë për identitetin e tyre në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Union.

“Identiteti juaj do të mbetet dhe do të rritet e plotësohet me identitete të tjera që nuk janë alternative por plotësuese. Çdo qenie njerëzore ka disa identitete që janë gjithmonë të pajtueshme dhe kjo është arsyeja pse ne jemi këtu sot. Ne kemi nevoje për Maqedoninë, e poashtu kemi nevojë që Maqedonia e Veriut të plotësojë identitetin tonë kompleks, ne kemi nevojë për njëri-tjetrin sepse së bashku jemi më të fortë”, tha Josep Borrell.

Konferenca e parë ndërqeveritare BE- Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, po zhvillohet sot në selinë e BE-së.

Konferenca erdhi menjëherë pasi kuvendi i Maqedonisë së Veriut, miratoi propozimin francez me 69 vota PRO.