Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka mirëpritur sanksionimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj disa serbëve nga Kosova, të cilët janë pjesë e një grupi të krimit të organizuar në veri.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të mërkurën sanksione ndaj dhjetëra individëve dhe subjekteve në të gjithë Evropën dhe hemisferën perëndimore, duke shënjestëruar një grup të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës.
Borrell tha se vendosja e sanksioneve ndaj disa serbëve nga Kosova, është hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.
“Përcaktimi nga SHBA është një hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor. Shkatërrimi i rrjeteve kriminale transnacionale kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe përmirëson sundimin e ligjit në mbarë rajonin. BE-ja është plotësisht e angazhuar në arritjen e këtij synimi të përbashkët”, tha Borrell, transmeton Telegrafi.
The designation by the U.S. is an important step in fighting organised crime in the #WesternBalkans
Dismantling transnational criminal networks contributes to security, stability &improves rule of law in the entire region. The EU is fully engaged in pursuing this common objective https://t.co/VJkUpxkqzr— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) December 9, 2021
Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq janë ndër personat e listës së re të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara.
Dyshja janë bashkëpunëtorë të ngushtë të Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet – ata kanë qenë të lidhur me krime të rënda disa herë, por asnjëherë nuk janë dënuar gjersa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është përpjekur fuqishëm të mohojë lidhjet me ta.
Zyra e Kontrollit për Pasuritë e Huaja e Departamentit të Thesarit shënjestëroi të mërkurën grupin e afaristit serb Zvonko Veselinoviq.
Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviq, pastaj Zhelko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Milan Radojçiq, Marko Rosiq, Radule Steviq, Milivoje Vuloviq.
Grupi akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta.
Në këmbim, politikanët do t’u jepnin vëllezërve kontratat më të mira të infrastrukturës dhe kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre.
Zvonko Veselinoviq, udhëheqësi i Grupit të Krimit të Organizuar (OCG), është një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë. OCG e Veselinoviqit është e angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe, të cilët lehtësonin trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton Telegrafi.
Grupi gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje “quid pro quo”, duke përfshirë ryshfetin në fillim të vitit 2019 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të lejuar operacionet e kontrabandës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ryshfetin në fund të vitit 2017 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë kufitare për të lejuar kalimin e sigurt për kontrabandistët.
Nga fundi i vitit 2017, Veselinoviq dhe vëllai i tij, Zharko Jovan Veselinoviq kishin marrëveshje me politikanët të cilët i ndihmuan kandidatët e tyre të fitojnë në zgjedhje. /Telegrafi/