Telegrafi

Borrell, Kurtit: Nuk ka alternativë tjetër përpos dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se përveç dialogut nuk ka rrugë tjetër e as alternativë për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Borrell ka inkurajuar Kurtin që të përfshihet personalisht në këtë temë.

“Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është esenciale për të ecur drejt perspektivës evropiane, pa këtë rruga do të bllokohet. Për këtë e udhëzova z. Kurti që të angazhohet në mënyrë konstruktive në këtë, dhe ai e ka kuptuar personalisht. Unë e ekipi im, përfshirë përfaqësuesin e lartë Mirosllav Lajçak, jemi të gatshëm të ndihmojmë përfaqësuesit e rinj të Kosovës të familjarizohen me procesin që po ndodh”, ka thënë Borrell, shkruan Telegrafi.

Ai ka thënë se e di që procesi i dialogut nuk është i lehtë, por nuk mund të hedhim poshtë atë çfarë kanë arritur qeveritë e mëparshme.

“E di që nuk do të jetë një proces i lehtë, por për të mirën e popullit të Kosovës dhe Serbisë, dhe për të mirën e tërë Ballkanit Perëndimor ne duhet ta rinisim këtë proces sa më shpejtë dhe të kemi një takim të nivelit të lartë”, ka thënë Borrell.

Borrell më tej ka theksuar se asnjëherë nuk ka thënë se Kosova do të bllokohet në rast se refuzon të marrë pjesë në dialog.

“Nuk kam thënë se Kosova do të bllokohet, është e qartë se pa statusin ndërkombëtar – Kosova nuk do të ketë të ardhme, është në interes të Kosovës të vazhdoj dialogu”, tha Borrell. /Telegrafi/