Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell pasi ka deklaruar se është arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet, ka reaguar edhe njëherë përmes një video adresimi.
“Ne përgëzojmë dy liderët për këtë vendim dhe për lidershipin e tyre”, tha Borrell në adresimin e dytë të tij gjatë së shtunës.
Shefi i diplomacisë evropiane, tha se kjo marrëveshje është në interes të qytetarëve të dyja shteteve.
“Dua të falënderoj të dy liderët që e arritën marrëveshjen”, tha Borrell.
Borrell falënderoi edhe Shtetet e Bashkuara për mbështetjen dhe shtoi se puna për lirinë e lëvizjes ende nuk ka përfunduar.
“Ka ende probleme të pazgjidhur. Pres nga dy liderët që të vazhdojnë të tregojnë pragmatizëm dhe konstruktivitet në mënyrë që të zgjidhet problemi i targave. E kam thënë disa herë, në kohën e luftës në Ukrainë, me sfidat që po përballen evropianët, ne në Evropë nuk na duhen probleme të tjera, nuk na duhen më tensione. Na duhen zgjidhje. Na duhet zgjidhje për Ballkanin Perëndimor dhe sot kemi arritur një zgjidhje, por ka ende probleme të pazgjidhura dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë për t’i zgjidhur ato”, tha ai.
Kjo marrëveshje nënkupton se Serbia, pas 11 vjetësh, do të ndalë së lëshuari dokument për hyrje-dalje për shtetasit e Kosovës, kur ata hyjnë në territorin e saj.
Ndryshe, sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi mund të pranojë që qytetarët e Kosovës të lëvizin nëpër Serbi me dokumentet e tyre të identifikimit, por me një kusht, në vendkalimet kufitare duhet të vihet një shënim që shpjegon se kjo bëhet për arsye praktike dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës.
Një ditë më parë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se palët duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e deritashme.
Diplomati amerikan i cili bashkë më diplomatin evropian Lajçak qëndroi në Kosovë dhe Serbi në përpjekje për të gjetur një zgjidhje që do të shmangte tensionet në terren, tha se bisedimet janë mekanizmi nëpërmjet të cilit të dyja vendet mund të normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe të hapin ardhmërinë evropiane./Telegrafi/
I am happy that we found a European solution that facilitates travel between #Kosovo and #Serbia, which is in the interest of all citizens of Kosovo and Serbia.
I thank @predsednikrs and @albinkurti for their leadership, and underline the excellent practical EU – US cooperation pic.twitter.com/kO4UZNenwk
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) August 27, 2022