Telegrafi

Boris Johnson përmes një video u dërgon mesazh qytetarëve: Do ta mundim coronavirusin, do ta mundim së bashku

Boris Johnson është liruar nga spitali, pasi javën e kaluar përfundoi në repartin e kujdesit intensiv për shkak të komplikimeve që i pësoi si rezultat i infeksionit të COVID-19.

Kryeministri britanik u hospitalizua gjatë javës së kaluar, për shkak të rritjes së temperaturës dhe simptomave tjera të COVID-19 që i kanë zgjatur për dhjetë ditë, transmeton Telegrafi.

Ai në spital i kaloi tri ditë – më saktësisht në repartin e kujdesi intensiv ku më pas iu përmirësua gjendja shëndetësore pas marrjes së oksigjenit.

Megjithatë nuk dihet se kur do t’i rikthehet punës, ndërsa mbrëmë i është drejtuar qytetarëve përmes një video në Twitter.

“Sot jam liruar nga spitali, pas shtatë ditëve ku NHS më shpëtoi jetën”, thotë J0hnson në video.

Ai fillimisht ka falënderuar të gjithë në Mbretërinë e Bashkuara, për siç thotë ai që po luftojnë në vijën e parë të frontit kundër coronavirusit.

“Nëse mund të parandalojmë që NHS të mos jetë i stërmbushur me të sëmurë, atëherë nuk mund të humbim”, ka shtuar Johnson.

“Gjatë shtatë ditëve të fundit kam pasur rastin të shoh nën çfarë presioni janë spitalet. Kam parë guxim, jo vetëm te mjekët dhe infermierët, por tek të gjithë”, ka thënë ndër tjera Johnson, duke pranuar se ata shkojnë në punë duke rrezikuar të infektohen me virusin vdekjeprurës.

“Do ta mundim coronavirusin, do ta mundim së bashku”, ka porositur Johnson qytetarët.

Ndryshe, në Britani të Madhe deri më tani kanë humbur jetën 10.612 persona. /Telegrafi/