Telegrafi

Boris Johnson: Britania e Madhe do të largohet nga BE-ja në tetor, me ose pa një marrëveshje

Boris Johnson ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga BE-ja deri në fund të tetorit, me ose pa një marrëveshje.

Kështu, siç raportojnë mediat britanike, përcjell Telegrafi, ka thënë ish ministri i Jashtëm britanik, deklaratë kjo që vjen vetëm disa orë pasi kryeministrja Theresa May paralajmëroi dorëheqjen.

Sipas Reuters, Johnson ka thënë në një konferencë në Interlaken në Zvicër: “Ne do të largohemi nga BE-ja më 31 tetor, me marrëveshje apo pa marrëveshje”.

Sipas The Guardian, Johnson është favoriti midis anëtarëve konservatorë për të marrë përsipër kryeministrinë deri në javën e fundit të korrikut, por do të përballet me konkurrencën e më shumë se 20 deputetëve konservatorë që konkurrojnë për këtë pozitë.

Ndryshe, kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje, duke i dhënë kështu fund presionit politik për dështimin që të realizohet Brexiti që nënkupton daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Gjatë një konference për media të mbajtur të premten para dyerve të zyrave të kryeministrisë, ajo njoftoi se më 7 qershor do të largohet, megjithatë bëri të ditur se do të vazhdojë ta ushtrojë postin e kryeministres derisa nuk zgjidhet pasuesi.

Aty ajo nuk arriti të ndalë lotët nga emocionet. /Telegrafi/