Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, është deklaruar pas takimeve që ka zhvilluar në Paris me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Borrell ka thënë se serbët e Kosovës duhet të kthehen menjëherë në institucionet e Kosovës dhe të rifillojnë detyrat e tyre, ndërsa Kosova duhet të harmonizojë veprimet e saj në lidhje me targat dhe të fillojë negociatat për themelimin e Asociacionit pa vonesa.
“Këto zotime, të ndërmarra në kuadër të dialogut, mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme”, ka thënë Borrell, sipas një njoftimi për shtyp të BE-së të premten.
Gjatë takimeve, ai gjithashtu ka theksuar se të dyja palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive, të tregojnë gatishmëri për kompromis dhe të respektojnë detyrimet e tyre në dialog.
Tutje, Borrell ka shtuar se me luftën në Ukrainë, Evropa nuk mund të ketë një tjetër konflikt në tokën e saj.
“Është përgjegjësi e palëve që ta shmangin këtë për të mirën e njerëzve të tyre, të cilët do të humbasin më shumë nëse sjellja aktuale përshkallëzuese nuk ndryshon”, është shprehur ai.
“Pamundësia për të përmbushur detyrimet dhe përshkallëzimi i shpejtë do të ketë pasoja të dëmshme para së gjithash për njerëzit në Kosovë dhe Serbi, për të ardhmen evropiane të të dyja palëve dhe besueshmërinë e tyre në sytë e partnerëve evropianë dhe ndërkombëtarë”.
Ndërsa, në këtë takim me shefin e BE-së, kryeministri Kurti ka thënë se propozimi franko-gjerman, që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.
Kreu i ekzekutivit kosovar po qëndron në Francë për të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris. /Telegrafi/
Intense discussions today with @albinkurti and @predsednikrs in Paris on EU-facilitated Dialogue & way forward.
Underlined the need to respect all Dialogue commitments.
Ensuring peace and stability on the ground at this critical moment is key. https://t.co/VuKFEQ12Nn pic.twitter.com/80aBLIETKL
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) November 11, 2022