Site icon Telegrafi

Bordi i AKP-së mbi 2000 euro për një mbledhje

Kryetari dhe anëtarët e Bordit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) vetëm për një mbledhje marrin më shumë se 2000 euro në muaj. Gjatë vitit që lamë pas për 17 mbledhje të mbajtura kryetari i Bordit të AKP-së ka marrë më shumë se 38 mijë euro, ndërsa anëtarët e Bordit më shumë se 34 mijë euro.

Petrit Gashi, kryesues i Bordit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), për vetëm një mbledhje gjatë vitit që lamë pas ka marrë 2276 euro, derisa anëtarët e Bordit të AKP-së kanë marrë 2000 euro.

Duke u bazuar në të dhënat e deklaruara në Agjencinë Kundër Korrupsioni (AKK) shihet se mëditja e kryesuesit të Bordit është gati edhe një herë më e lartë sesa paga mujore e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, e cila është rreth 1500 euro.

Në formularët e AKK-së, Gashi ka vetëdeklaruar se brenda një viti nga AKP-ja merr 38700 euro, derisa anëtari i Bordit në këtë institucion Bajram Zejnullahu ka deklaruar se të hyrat e tij, vjetore nga AKP-ja janë 34200 euro.

AKP-ja nuk ka dhënë detaje për pagesën e kryesuesit dhe të anëtarëve të Bordit, por ka dhënë informacione të përgjithshme.

Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi ka treguar se Bordi i Drejtorëve ka dy anëtarë nga tetë sa ka pasur.

“Bordi i Drejtorëve i AKP-së aktualisht i ka me mandat dy anëtarë nga tetë sa ka në përbërje sipas Ligjit të AKP-së. Me mandat ligjor aktualisht janë kryesuesi i Bordit të Drejtorëve Petrit Gashi dhe zëvendëskryesuesi i Bordit Bajram Zejnullahu. Këta kanë mandat deri më datën 16 dhjetor 2018”, thuhet në përgjigjen me shkrim të AKP-së. /Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version