Telegrafi

Boo Davis porosi Prishtinës: Peja gati për titullin (Foto)

Një prej lojtarëve kryesorë të Pejës, Boo Davis, është shprehur i gatshëm pak orë para duelit kyç dhe të pestë final të Superligës së Kosovës në basketboll.

Dueli i cili zhvillohet në palestrën Karagaçi pritet me padurim nga adhuruesit e basketbollit në Kosovë, ashtu sikurse nga dyja tifozeritë, shkruan Telegrafi.

Tensionet mes dy klubeve u rritën në maksimum kur presidenti i KB Prishtinës, Blerand Stavileci, nuk ia ktheu shtrëngimin e duarve kryetarit të KB Pejës, Art Gashit, kur ky i fundit deshi të uronte fitoren në ndeshjen e katërt.

Dhe i gatshëm është shprehur Boo Davis, i cili hapur ka dalë edhe më parë në deklarata para ndeshjeve kundër Prishtinës.

“Unë jam gati, po ju a jeni gati?”, u shpreh Davis në rrjetin social Instagram.

Davis më parë ka dalë në një video ku ka sharë Prishtinën, një incident ky që e ka përmendur Blerand Stavileci si kyç për ngritjen e tensioneve në një intervistë të fundit të tij televizive. /Telegrafi/