Telegrafi

Bonucci thotë se Barca nuk është aq e fortë sa në vitin 2015, ndërsa tregon klubin më të fortë në LK

Getty Images

Leonardo Bonucci thotë se Barcelona nuk është e fortë si në vitin 2015 dhe se Juventusi është pjekur shumë nga ajo kohë.

Zonja e Vjetër është nikoqire e katalunasve në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa mbrojtësi italian është i gatshëm për këtë sfidë.

“E kam pasur fatin ose fatkeqësinë që të luaj kundër Barcelonës në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2015 (Blaugranët fituan 3-1)”.

“U përpoqëm që t’i mbanim, mirëpo Leo Messi, Suarez dhe Neymar, janë në mesin e 10 lojtarëve më të mirë në botë – njësoj sikur Gonzalo Higuain dhe Paulo Dybala”.

“Mbrojtja jonë është më e fortë se ajo e Barcelonës. Kemi luajtur bashkë për shumë vite dhe kemi dëshmuar se jemi të aftë të luajmë edhe për Juventusin edhe për Italinë”.

“Mendoj se Barca nuk është aq e fortë sa në vitin 2015. Sipas mendimit tim, Bayern Munichu është ekipi më i fortë në Ligën e Kampionëve dhe jam i sigurt se ata nuk do ta kishin lejuar asnjëherë një rikthim si ai që i ndodhi PSG-së”, ka deklaruar Bonucci për gazetën spanjolle El Pais. /Telegrafi/