Telegrafi

Bonucci refuzon ta fajësojë Dybalan, i cili e humbi topin në çastet kur pasoi goli

(Foto: Twitter/Instagram/Screenshot)

Qendërmbrojtësi i Juventusit, Leonardo Bonucci, nuk e ka fajësuar Paulo Dybalan për barazimin e vonshëm të Lazios.

Zonja e Vjetër luajti baras me Bianconcelestët, ndërsa ishte në epërsi deri në minutat shtesë kur Felipe Caicedo e barazoi rezultatin.

“Bëmë një paraqitje të stilit të Juventusit për 93 minuta e 45 sekonda. Ishim solidë dhe agresivë në fazën mbrojtëse, Lazio krijoi zero raste, pastaj pranuam gol në një top që kemi mundur të reagojmë më mirë”, ka thënë italiani për Sky Sport.

Megjithatë, ai ka refuzuar ta fajësojë Paulo Dybalan, i cili nuk e menaxhoi mirë një top në kundërsulm, duke ia falur një rivënie anësore Lazios dhe pikërisht nga ky moment erdhi edhe goli i barazimit.

“Nuk është faji i atyre që u inkuadruan, (Paulo) Dybala dhe (Federico) Bernardeschi e bënë punën që duhej ta kryenin. E humbëm një top dhe katër ose pesë nga ne gabuam”, është shprehur më tej Bonucci. /Telegrafi/