Leonardo Bonucci falënderoi tifozët e Milanit për mbështetjen e tyre pas eliminimit nga Arsenali prej Ligës së Evropës.
Hakan Calhanoglu kishte rihapur takimin pas realizimit të një goli, por dygolëshi i Danny Welbeckut dhe supergoli i Granit Xhakës përmbysën gjithçka dhe u kualifikuan në çerekfinale.
“Askush nuk mund të thotë që nuk kemi provuar apo besuar. Për fat të keq, pas golit 2-1, kemi humbur rrugën tonë”, tha Bonucci për Sky Sport Italia.
“Ishim në nivel me Arsenalin dhe nëse do të realizonim gola përmes rasteve që kishim para se të kalonim në epërsi, mund të ishte një tjetër lojë”.
“E pamë se ekipi po përmirësohet, askush nuk mund të thotë që nuk e kemi provuar. Penaltia peshoi në bilancin e lojës, por mund të ndodhin këso lloj gabimesh. Është për të ardhur keq”.
“Gjëja më e mirë është se mijëra tifozë udhëtuan deri këtu dhe na përkrahën deri në minutën e fundit të takimit. Ata do të jenë me ne në San Siro të dielën, dhe ne me ta, ndërsa ne vazhdojmë garën për pozitën e katërtë në Serie A”, tha italiani.
Kujtojmë se shorti për fazën e ardhshme të Ligës së Evropës do të hedhet ditën e nesërme (e premte) në Nyon të Zvicrës. /Telegrafi/