Telegrafi

BONEVET mbështet punëtorët edhe gjatë pandemisë, pranon grand të jashtëzakonshëm nga Fondacioni ”UNË E DU KOSOVËN”

Kryetari i BONEVET, Vllaznim Xhiha, përmes një letre iu është drejtuar fëmijëve, prindërve, partnerëve, donatorëve, anëtarëve të ekipit, miqve dhe të gjithë mbështetësve për situatën e krijuar së fundmi si pasojë e virusit Covid-19.

Kjo është letra e plotë:

“Të dashur fëmijë, prindër, partnerë, donatorë, anëtarë të ekipit, dhe miq e mbështetës tjerë të BONEVET,

Përderisa vazhdon ndikimi shumë i madh i pandemisë së virusit Korona në popullsinë e tërë botës, është e vështirë të parashikohet cili do të jetë rezultati përfundimtar. Duke ndjekë këshillat e institucioneve shëndetësore kombëtare dhe ndërkombëtare, BONEVET është mbyllur nga data 13 mars, para se Ministria e Arsimit të njoftojë për mbylljen e shkollave në gjithë Kosovën. Kjo mbyllje do të zgjasë aq sa është e nevojshme, në mënyrë që fëmijët, prindërit, dhe ekipi të jenë të sigurtë dhe të mbrojtur nga infektimet e mundshme.

Që nga fillimi i muajit mars, Rrjeti i BONEVET nuk ka pasur të hyra nga pagesat e klasave dhe nuk presim që të kemi as në muajin prill, e as nuk mund të parashikojmë se çfarë do të ndodhë në muajt e ardhshëm. Për më shumë, disa nga grantet që ishin ndarë për projektet tona ose janë ngrirë, ose janë shtyrë. Kjo situatë emergjente ka shkaktuar një problem të madh të likuiditetit në BONEVET.

Në mënyrë që të tejkalohet kjo mungesë fondesh financiare, Fondacioni “UNË E DU KOSOVËN” ka ndarë një donacion të jashtëzakonshëm javën e kaluar, duke i ndihmuar tri qendrat e BONEVET që t’i sigurojnë pagat e plota për gjithë ekipin, mentorët e jashtëm, dhe t’i paguajnë shpenzimet operative.

Edhepse është e vështirë që klasat praktike të BONEVET të zhvillohen përmes internetit, ekipi ynë nga shtëpia ka bërë përpjekje të rëndësishme që t’i angazhojë nxënësit në punëtori online, kurse programimi, dhe gara të ndryshme. Ne vazhdimisht po kërkojmë praktika të reja më të mira sa i përket mësimdhënies nga shtëpia, që t’i bartim aktivitetet tona te nxënësit tanë, dhe t’i inkurajojmë që ta përdorin kohën me planifikim paraprak, gjatë periudhës së izolimit fizik.

Në emër të Fondacionit “UNË E DU KOSOVËN” e falënderoj ekipin dhe të gjithë mentorët për përpjekjet e fuqishme që anija e BONEVET ta vazhdojë lundrimin, edhe në këto kohë të vështira. 

Gjithashtu i falënderojmë partnerët dhe donatorët tanë, për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, dhe gatishmërinë për mbështetjen përkatëse edhe më të madhe në këtë kohë të jashtëzakonshme.

Sinqerisht i juaji,

Vllaznim Xhiha
Bashkëthemelues i Fondacionit “UNË E DU KOSOVËN”
Kryetar i BONEVET”.