Era Istrefi u bë sensacion botëror kur e realizoi hitin e saj, “Bonbon”.
Ishte pikërisht kjo këngë që shënoi depërtimin e këngëtares nga Kosova në skenën ndërkombëtare dhe ajo tash është duke e shijuar këtë sukses dhe njëkohësisht vazhdon me projektet e reja.
Gjatë kësaj fundjave, Era ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm, duke qenë se videoklipi i këngës “Bonbon”, ka kaluar shifrën prej gjysmë miliardi shikimesh në YouTube.
Këngëtarja është shprehur e kënaqur me këtë arritje dhe i ka kushtuar një postim në rrjetet sociale.
“‘Bonbon’ arriti gjysmë miliardi sot. Edhe nëse vdes nuk pendohem, por viti i ardhshëm do të jetë i zjarrtë”, ka shkruar Era në postim në Instagram.
Duhet përmendur se “Bonbon” kishte arritur disa dhjetëra miliona shikime në YouTube para se këngëtarja të nënshkruante me Ultra Music.
Kurse pasi nënshkroi me këtë ‘label’, klipi u largua nga platforma e shpërndarjes së videove dhe numërimi nisi nga zero.
Kështu, super-hiti “Bonbon” u ripostua në YouTube më 7 mars 2016 dhe tash ka kaluar shifrën prej 500 milionë shikimesh. /Telegrafi/