Telegrafi

Bombë në veri të Mitrovicës

Një bombë ka shpërthyer sot në orët e hershme të mëngjesit, në veri të Mitrovicës.

Ngjarja ka ndodhur pas orës 03:00 të mëngjesit, në afërsi të një lokali që ndodhet në veri të Mitrovicës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, për rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hoti.

Hoti ka thënë se përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar.

“Rasti ka ndodhur diku pas orës 03:00 të mëngjesit. Përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar. Si pasojë e shpërthimit janë thyer xhamat e një lokali aty, si dhe një veturë është dëmtuar e cila ka qenë e parkuar afër”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se deri më tani nuk dihen motivet e këtij rasti, dhe se çdo gjë është në fazën fillestare të hetimeve. /Telegrafi/