Telegrafi

Bolsonaro i nxit brazilianët të rikthehen në punë, thotë se coronavirusi është një “fantazi”dhe një “grip i vogël”

Ndërsa qyteti më i madh i Brazilit u fut në bllokim, shkaku i coronavirusit, presidenti Jair Bolsonaro të martën bëri thirrje që jeta duhet të vazhdojë dhe vendet e punës të ruhen.

Në një fjalim drejtuar kombit, Bolsonaro u kërkoi kryetarëve të bashkive dhe qeveritarëve të shtetit që të tërhiqnin masat e bllokimit, përcjell Telegrafi.

“Ne duhet të kthehemi në normalitet”, citohet të ketë thënë ai.

Bolsonaro është përballur me kritika në rritje për qëndrimin e tij ndaj virusit, të cilin ai e ka quajtur si një “fantazi” dhe një “grip të vogël” pavarësisht se deri më tani janë infektuar rreth 400 mijë njerëz në gjithë botën dhe dhjetëra mijëra të tjerë kanë gjetur vdekjen.

Lexo po ashtu Presidenti brazilian Jair Bolsonaro rezulton pozitiv në testin e coronavirusit

Gjatë fjalimit të tij të martën në mbrëmje, njerëzit përdorën enë kuzhine në një formë tradicionale proteste në Sao Paulo dhe Brasilia.

Sondazhet e opinioneve kanë treguar që popullariteti i Bolsonaro po zvogëlohet.

Ai tha se situata e tmerrshme në Itali nuk do të përsëritet në Brazil për shkak të popullsisë më të re të vendit të Amerikës Latine dhe klimës më të ngrohtë.

Vdekjet nga coronavirusi në Brazil të martën u rritën në 46 nga 34, dhe numri i rasteve u rrit në 2.201 nga 1.891, sipas shifrave të qeverisë.

Wanderson de Oliveira, një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë, u tha gazetarëve se Brazili do të zgjerojë gjerësisht testimet në ditët e ardhshme. /Telegrafi/