Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës po përballet në vazhdimësi me mungesë të kuorumit. Numri më i madh i deputetëve, kryesisht ata nga partitë opozitare nuk po marrin pjesë në seancat parlamentare ku në rend dite janë edhe miratimi i projektligjeve të cilat konsiderohen se janë në interes të vendit dhe qytetarëve.
Analistët e çështjeve politike e konsiderojnë mungesën e deputetëve në seancat parlamentare më shumë si bojkot politik sesa mungesë përgjegjësie.
Artan Muhaxhiri, analist i çështjeve politike thotë se janë dy arsye për bojkotin që deputetët po ju bëjnë seancave parlamentare. Sipas tij, e para është mungesa e ideve politike dhe e dyta është mungesa e guximit politik.
“Këta deputetë të cilët synojnë që me anë të bojkotit të arrijnë një qëllim, nuk kanë as ide dhe strategji politike, mirëpo nuk kanë as guxim që ose të rrëzojnë Qeverinë ose të mos e bojkotojnë punën e legjislativit. Pra, është një situatë e cila e vazhdon status kuonë (mbajtjen e gjendjes ashtu si është pa ndryshime), mirëpo pa vënë ndonjë rezultat konkret politik”, thotë Muhaxhiri.
Seanca plenare e 15 tetorit, në të cilën pritej të miratoheshin një varg projektligje është bojkotuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Seanca kishte filluar me disa orë vonesë për shkak të mungesës së kuorumit.
Analisti i çështjeve politike, Ramush Tahiri thotë për Radion Evropa se deputetët e partive politike përmes bllokadës së Kuvendit të Kosovës po synojnë zgjedhje.
“Konsideroj që është bojkot politik i partive politike opozitare të cilët edhe po e deklarojnë si bojkot për çështje të caktuara, sepse dëshirojnë që përmes bllokadës së Kuvendit të Kosovës ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Më pak është veprim individual i deputetëve sepse mandati është partiak”, thotë Tahiri.
Përveç mungesave në seanca parlamentare, deputetët mungojnë edhe në mbledhjet e komisioneve parlamentare.
Sipas një hulumtimi të bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili monitoron punën e Kuvendit, gjatë vitit 2016, deputetët kanë munguar 1,207 herë, në mbledhjet e komisioneve parlamentare, që i bie se mesatarisht secili komision ka 80 mungesa.
Komisionet parlamentare janë trupa përbërëse të Kuvendit të Kosovës, funksion parësor i të cilave është shqyrtimi dhe procedimi i projektligjeve që u adresohen.
Anëtarë të komisioneve janë deputetë nga të cilët pritet të kenë më shumë njohuri rreth çështjeve që bien në fushë veprimtarinë e komisionit përkatës.
Mungesat e shumta të deputetëve në seancat parlamentare dhe dështimi i këtyre seancave për mungesë të kuorumit, sipas analistit të çështjeve politike Artan Muhaxhiri, dëshmon nivelin e vetëdijes politike të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
“Për këtë arsye, zgjidhja e vetme është të ketë një presion të madh ndërkombëtarë, një lloj shantazhi të butë me anë të së cilit do të fajësoheshin publikisht dhe konkretisht deputetët e Kosovës për të gjitha ngecjet në zhvillimin e Kosovës, në fokus të veçantë në integrimin evropian. Duhet një presion i madh publik edhe nga niveli vendor dhe ndërkombëtarë në mënyrë që deputet të nxiten ta bëjnë punën për të cilët paguhen, tingëllon paradoksale, por kjo është e vërtetë”, thotë Muhaxhiri.
Ndryshe, rregullorja e Kuvendit të Kosovës, parasheh dënime për deputetët vetëm në rast të mungesës në Kuvend për më shumë se gjashtë muaj, por nuk specifikon ndëshkime tjera për numrin e madh të mungesave./Rel/Telegrafi/