Jerome Boateng nuk e ka pritur mirë lajmin e trajnerit Joachim Low, që nuk do të ftohet më në ekipin kombëtar gjerman.
Ai me një postim në profilin e tij në Instagram, ka theksuar se do donte që lamtumira e tij të vinte në një formë tjetër.
“Ditën e sotme trajneri i kombëtares Joachim Low më tha në bisedë të sinqertë se nuk do të jem më pjesë e përfaqësueses gjermane. Ai dëshiron t’u japë një shans emrave të rinj për t’u bërë gati për turnetë e radhës”.
“Jam i trishtuar nga ky lajm pasi ka qenë ndjesia më e bukur për mua që të përfaqësoj vendin tim. Gjithsesi, unë e respektoj këtë drejtim që po merr kombëtarja dhe e kuptoj vendimin e trajnerit”.
“Kam qenë i ri vetë dhe më është dashur që lojtarët më të mëdhenj në moshë të më linin hapësira. Personalisht jam i bindur se mund të vazhdoj të luaj në nivelet më të larta dhe do ta bëj këtë në vitet e ardhshme”.
“Do të kujtoj gjithmonë me shumë kënaqësi momentet që kam kaluar te kombëtarja gjermane. Kam qenë gjithmonë pafundësisht krenar kur kam veshur fanellën e kombëtares dhe veçanërisht kurrë s’do ta harroj atë verë të vitit 2014-ës”.
“Gjithsesi dëshiroja një lamtumirë tjetër për ne. I uroj fat skuadrës në të ardhmen!”, ka shkruar Boateng. /Telegrafi/