Telegrafi

BMW ia ofron Mercedesit bateritë e veta

Nga BMW kanë njoftuar se me kënaqësi do t’u mundësojnë konkurrentëve të vet që ta shfrytëzojnë teknologjinë për bateritë e dedikuara për automjetet elektrike, të cilën kompania bavareze e ka zhvilluar në bashkëpunim me Samsung.

Njëri nga shefat e BMW-së, Klaus Draeger, ka deklaruar se njohuritë me të cilat disponon kompania e tij do të ndihmonin në uljen e shpenzimeve për prodhimin e baterive, të cilat janë arsyeja kryesore pse automjetet elektrike vazhdojnë të jenë shumë të shtrenjta.

“Nëse Mercedesi kërkon nga ne, atëherë me kënaqësi do ta rregullonim marrëveshjen me Samsung dhe në këtë mënyrë do të mundësonim që edhe një ‘lojtar i madh’ të furnizohej me bateri të reja dhe kualitative”, ka thënë Draeger.

Deri në vitin 2016, BMW planifikon që të rritë për 20 deri në 30 për qind numrin e automjeteve elektrike, në raport me sasinë e tanishme. /Telegrafi/