Vetura e prodhimit serik të BMW-së që ishte në treg për 10 vite, është duke u pensionuar.
Pasi që rriti prodhimin e modelit i3 gjatë vitit të kaluar për të përmbushur kërkesat, BMW ka vendosur të ndërpret prodhimin e saj të parë të modelit serik elektrik, transmeton Telegrafi.
Kompania bavareze zyrtarisht ka konfirmuar për revistën Drive që njësitë e fundit të kësaj veture elektrike do të zbresin nga shiriti i fabrikës në korrik, duke shënuar kështu fundin e dhjetë viteve sukses dhe rreth 250 mijë njësi të shitura në mbarë botën.
Modeli i3 aktualisht prodhohet në Lajpcig, e pas ndërprerjes BMW do të përgatit fabrikën për prodhimin e gjeneratës së ardhshme të modelit Mini Countryman, që do të fillojë të montohet në gjysmën e dytë të këtij viti.
Sa i përket i3, ai do të ketë në mënyrë direkte pasardhësin, por që në një mënyrë do ta zëvendësojë iX1, crossoveri elektrik i bazuar në gjeneratën e tretë të BMW X1.
Ky model në fillim do të montohet në fabrikën e BMW-së në Regensburg, kurse nga viti 2024 do të zhvendoset në Debrecin të Hungarisë.
BMW i3 ishte lansuar në treg në vitin 2013, dy vite pasi që u prezantuar koncepti i kësaj veture. Ajo ka tri opsione të baterive që me një mbushje mundësojnë të lëvizin nga 130 deri në 246 kilometra. /Telegrafi/