Deputeti Ben Blushi, kryetar i LIBRA-s, ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit se edhe nëse zgjedhjet mbahen në 18 qershor, LIBRA do të marrë pjesë në to pasi “nëse asnjë nga kundërshtarët nuk hyn në zgjedhje, askush nuk do ta ndalojë më pas marrëzinë e Ramës”.
“Nëse PD nuk hyn në zgjedhje, Rama do përfundoje me të paktën 80 mandate dhe s’ka nevojë për askënd për të qeverisur dhe është totalisht jashtë kontrollit. Nëse LSI nuk hyn në zgjedhje, Rama përfundon me 100 mandate dhe askush në këtë republikë s’mund ta kushtëzojë më, madje mund të ndryshojë Kushtetutën e Shqipërisë duke e kthyer në një republikë si ajo e Erdoganit. Marrëzinë e Ramës s’mund ta ndryshonim dot më”, tha Blushi.
Ish-deputeti që u shkëput nga PS por nuk e dorëzoi mandatin, tha gjithashtu se i vjen mirë që parashikoi dy vjet më parë “funeralin e Rilindjes”.
“Më vjen mirë që para dy vitesh shpalla funeralin e Rilindjes, mori dy vjet për të ardhur në këtë ditë. Kanabistët dhe krenaristët që ishin dy shtyllat e Rilindjes e bënë pjesën e mbetur të funeralit, disa ikën në drejtim të paditur, disa në burg, disa në drejtim të burgut, këta krenaristët nga idiotësia u shpërndanë duke lënë Rilindjen vetëm. Ajo është e ngordhur, pa frymë dhe gati për ta varrosur”, u shpreh ai.