(E PËRDITËSUAR) Rrugët në pjesën serbe që çojnë drejt dy pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Merdar dhe Jarinje, janë bllokuar pjesërisht pasditen e së premtes nga një grup i vogël njerëzish.
Organizatorët kanë thënë se do t’i lejojnë të futen apo dalin vetëm udhëtarët me dokumente serbe, por jo edhe ata me dokumente kosovare.
Dy vetura, njëra me një flamur serb në dritaren e pasagjerit, dhe disa persona pranë tyre shihen të vendosur në mes të rrugës që çon në pikën kufitare drejt Kosovës.
Siç është paralajmëruar, rrugët do të bllokohen edhe në dy pikat e tjera kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – Jarinje dhe Bërnjak – si dhe afër pikëkalimit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, në Kula.
Në pjesën kosovare të pikëkalimit kufitar në Jarinjë situata është e qetë dhe se automjete kryesisht me targa serbe shihen duke kaluar kufirin në të dyja anët.
Rasha Rojeviq, kryetar i Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut Kosovë-Mitrovicë, një nga tetë shoqatat që organizojnë bllokadat, tha më herët për Radion Evropa e Lirë se kjo është “bllokadë selektive”, që nënkupton se ata do t’i lejojnë ta kalojnë kufirin nga ana serbe vetëm udhëtarët me dokumente serbe.
Disa persona bllokojnë rrugën në pjesën serbe të kufirit mes Serbisë dhe Kosovës në Jarinje
Rojeviq tha në një intervistë për REL-in se bllokadat janë “reciprocitet i asaj që Kurti po ua bën serbëve” në Kosovë.
Në pjesën serbe të kufirit në Merdar, veturat me targa serbe mund të kalojnë pa telashe, ndërsa ato me targa të Kosovës po ndalohen dhe kontrollohen për të parë nëse kanë dokumente serbe.
Por, kamionët janë duke u ndaluar pavarësisht se a kanë targa të Serbisë apo të Kosovës, sipas tij.
Bllokimi i pikëkalimeve kufitare në anën serbe mes Serbisë dhe Kosovës u paralajmërua ditë më parë nga njerëz Serbi, si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.
Të mërkurën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.
Autoritetet e Kosovës e kanë zemëruar Serbinë me një sërë veprimesh që i kanë ndërmarrë në veri të vendit muajt e fundit – për çfarë janë kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare.
Javën e kaluar, Qeveria e kryeministrit Albin Kurti i mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit. /REL/