Telegrafi

Bllokohen pesë varka turistike në liqenin e Komanit, gjobiten drejtuesit e tyre për mungesë sigurie

Pesë varka artizanale në liqenin e Komanit janë bllokuar nga policia ndërsa drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative nga 10,000 lekë [90 euro] secili.

Policia ka realizuar kontrolle të befasishme në liqenin e Komanit, për rritjen e parametrave të sigurisë së jetës së turistëve dhe vizitorëve që frekuentojnë liqenin e Komanit.

Njoftimi i Policisë:

Shërbimet e Policisë, në zbatim të planit të masave të hartuar me qëllim kontrollin e mjeteve lundruese, turistike dhe argëtuese, në liqenin e Komanit, për mënyrën e përdorimit dhe për pajisjen e tyre me dokumentacion të plotë, nisur dhe nga informacionet e siguruara se në liqen kishte mjete lundruese të pasigurta, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor për sigurinë e turistëve dhe vizitorëve të liqenit, të koduar “Komani”.

Si rezultat u bllokuan 5 mjete lundruese varka të ndërtuara në mënyrë artizanale dhe u ndëshkuan drejtuesit e tyre, me masë administrative, me nga 10,000 lekë të rinj secili.

Gjithashtu, u bë bllokimi i një mjeti lundrues traget në pronësi të shtetasit Gj. G., pasi gjatë verifikimeve të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Shkodër, në kalatën e liqenit të Komanit, është konstatuar se ky traget ishte i paregjistruar në organet tatimore, kishte punonjës te paregjistruar, si dhe mungonte leja e drejtimit për guidimin e tij. /Telegrafi/