Telegrafi

Bllokohen 143 kg kokainë në Portin e Durrësit, ishte fshehur në kontenier me banane

Një sasi e konsiderueshme kokaine është bllokuar sot në Portin e Durrësit.

Bëhet fjalë për 200 pako kokainë të cilat ishin fshehur në një kontenier me banane që vinte nga Ekuadori.

Kontrolli i imët në ngarkesën nga Amerika Latine erdhi pasi kokaina u pikas nga skaneri.

Pas kësaj, përfaqësues të drejtorisë së përgjithshme të Policisë shkuan në port. Nga kontrolli brenda në konenier u gjetën 200 pako lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Mësohet se kontenieri i përket disa personave nga Tirana, emrat e të cilëve rezultojnë se nuk janë përfshirje në ndonjë vepër kriminale të mëparshme.

Kontenierë me banane nga Ekuadori i përket kompanisë “Masabi Fruits” me qendër në Kombinat, Tiranë.

Policia përmes një njoftimi në orët e mbrëmjes bëri me dije se është sekuestruar një sasi prej 143 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë e cila ishte fshehur në tavanin e kontenierit.

Në vendngjarje ndodhet një prokuror i SPAK, i cili po ndjek veprimet e Policisë në kontrollin dhe më tej peshimin e lëndës.

Kompania “Masabi Fruits” rezulton në emër të Klajdi Xibrakut dhe Erion Petit të cilët janë arrestuar nga policia.

“Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në një kontenier të ngarkuar me banane, i cili ishte nisur nga porti i Guayaquil në Ekuador dhe kishte kaluar tranzit në portin “Gioia Tauro”, Itali​, me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Tiranë, me administratorë shtetasit E. P. dhe K. X., shërbimet policore dhe ato doganore gjetën të fshehura në tavanin e kontenierit, pako të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar kokainë me peshë totale 143 kilogramë”, bën me dije policia.