Site icon Telegrafi

Bllokimi i Kuvendit pengon rritjen e pagave dhe pensioneve

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se kanë marrëkërkesa, nga ministritë dhe organizatat tjera, për projekte që e arrijnë shumën mbi 3 miliardë euro.

Sipas tij, gjatë këtij viti ata i kanë rritur pagat e 80 mijë personave, repektivisht për punëtorët që paguhen nga buxheti i shtetit, prej 4 deri në 20 për qind, duke shtuar se gjatë këtij i kanë zvogëluar për 16 milionë euro shpenzimet për mallra dhe shërbime.

“Është rritur për 25 për qind shuma që i dedikohet familjeve me asistencë sociale, dhe këtu do të përfitojnë rreth 27 mijë familje. 91 milionë euro nga buxheti janë paraparë që të ndahen për pensionistët kontributdhënës. Pagat vitin e kaluar janë rritur me 25 për qind, derisa këtë vit janë rritur me 7 ose 8 për qind. Kjo i bie që kemi rritje të pagave dyfish me e lartë se rritja ekonomike e Kosovës”, ka theksuar Hoti në emisionin “Info Box” të RTV “Dukagjini”.

Ai duke folur për bllokimin e Kuvendit të Kosovës, që po e bën opozita kosovare dhe dëmet që mund t’i shkaktoj nëse vazhdon bllokimi i këtij institucioni, ka theksuar se më së tepërmi do të dëmtohen qytetarët e Kosovës.

“Nëse vazhdon bllokimi politikat e rritjes së pagave nuk do të mund të zbatohen, sepse do të shkojmë më të njëjtin buxhet sikurse viti paraprak. Sidoqoftë unë pres rezonim më të arsyeshëm të opozitës, sepse nuk kemi ligj më të rëndësishëm për vendin se sa ai për buxhetin”, ka shtuar ministri Avdullah Hoti. /Telegrafi/

Exit mobile version