Site icon Telegrafi

Blinken me vizitë të papritur në Bregun Perëndimor, presidenti palestinez tregon se çka i premtoi zyrtarit amerikan

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas tha në një takim me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Bregun Perëndimor se Autoriteti Palestinez është gati të marrë përgjegjësinë e plotë për Rripin e Gazës si pjesë e një zgjidhjeje politike.

Kjo zgjidhje politike do të përfshinte Bregun Perëndimor të pushtuar, Jerusalemin Lindor dhe Gazën pas përfundimit të luftës së Izraelit kundër Hamasit, i cili sundon Gazën, raporton apnews.

Lexo po ashtu Izraeli arsyeton sulmet ndaj spitaleve: Hamasi po i shfrytëzon si mburojë

Abbas theksoi se siguria dhe paqja mund të arrihen duke i dhënë fund kontrollit ushtarak izraelit mbi territorin e “shtetit të Palestinës” dhe duke njohur Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e tij.

Ai përsëriti gjithashtu se Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO) është e vetmja përfaqësuese legjitime e popullit palestinez dhe e vetmja që vendos.

PLO dominohet nga forcat e moderuara, Fatah, rival i Hamasit, i cili mori pushtetin në Gaza me forcë në vitin 2007.

Lexo po ashtu Katari tregon kushtet për lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës

Hamasi më pas mundi forcat besnike të Fatahut, i cili që atëherë kontrollon vetëm pjesë të territorit tjetër palestinez të Bregut Perëndimor brenda kornizës së Autoritetit Palestinez.

Njoftimi vjen mes spekulimeve se kush mund të sundojë enklavën palestineze në bregun e Mesdheut dhe frikës nga një vakum pushteti pasi Izraeli zotohet ta shkatërrojë me luftë Hamasin. /Telegrafi/

Exit mobile version