Telegrafi

Blinken thotë se forcat ruse mund të përfshihen në një pushtim të plotë të Ukrainës ‘para se të mbarojë nata’

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të mërkurën në mbrëmje se forcat ruse mund të përfshihen në një pushtim të plotë të Ukrainës para se të mbarojë nata.

Sipas cnbc.com, përcjell Telegrafi, Blinken dha këtë deklaratë gjatë një interviste me Lester Holt në “NBC Nightly News”.

Holt pyeti: “A keni arsye të besoni se para se të mbarojë kjo natë, forcat ruse do të angazhohen në diçka të ngjashme me një pushtim të plotë të Ukrainës?”.

Dhe Blinken u përgjigj: “Unë po”.

“Fatkeqësisht, Rusia i ka pozicionuar forcat e saj në pikën përfundimtare të gatishmërisë përtej kufijve të Ukrainës në veri, në lindje, në jug”, ka thënë kryediplomati amerikan.

“Gjithçka duket se është në vendin e vetë që Rusia të përfshihet në një agresion të madh kundër Ukrainës”, shtoi Blinken.

Gazetari Holt më pas vazhdoi dhe pyeti: “Për të qenë i qartë, a mendoni se kjo mund të ndodhë sonte? Apo do të ndodhë?”.

Blinken pastaj tha: “Shiko, nuk mund të vendos datën apo orën e saktë, por gjithçka është në vendin e vetë që Rusia të lëvizë përpara”.

Ndryshe, se forcat ruse janë në pozitë për të nisur një sulm kundër Ukrainës, e ka thënë sekretari i shtypit i Pentagonit, John F. Kirby.

Megjithatë, sipas Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, Kirby nuk ka përmendur kohën e një sulmi të mundshëm duke thënë se vetëm presidenti rus Vladimir Putin e di këtë.

“Ajo që ne shohim është se forcat ruse vazhdojnë të mblidhen më afër kufirit dhe të vendosen në një fazë të avancuar gatishmërie për të kryer veprime ushtarake në Ukrainë përsëri, pothuajse në çdo kohë tani”, citohet të ketë thënë ai. “Ata janë gati”. /Telegrafi/