Site icon Telegrafi

Blinken thotë se Biden do të dërgojë “sa më shumë ndihmë të jetë e mundur” në Ukrainë në muajt e fundit të tij në pushtet

Presidenti amerikan Joe Biden do të dërgojë “sa më shumë ndihmë të jetë e mundur” në Ukrainë në muajt e fundit të tij në pushtet, ka njoftuar Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë një udhëtimi në Bruksel.

Bëhet e ditur se SHBA do të “përshtatë dhe rregullojë” pajisjet e fundit që po dërgon në Ukrainë, pa dhënë detaje se çfarë pajisje ushtarake planifikon t’i sigurojë vendit i cili po i afrohet vitit të tretë të luftës.

Blinken shtoi se vendet e NATO-s duhet të përqendrojnë përpjekjet e tyre për të siguruar që Ukraina “ka para, municione dhe forca të mobilizuara” ose për të luftuar në mënyrë efektive në 2025 dhe për të negociuar paqen nga një pozicion i fortë.

Por, ekziston një hije e pasigurisë politike rreth mënyrës sesi SHBA do t’i qaset politikës së saj për luftën pas inaugurimit të Trumpit, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Siç raportohet, htetet e Bashkuara janë aktualisht ofruesi më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Trump nuk ka dhënë detaje konkrete se cila do të ishte qasja e administratës së tij ndaj luftës, por ka thënë disa herë se do të konsideronte ndalimin e fondeve për vendin e shkatërruar nga lufta.

Ndryshe, lufta në Ukrainë nuk ka treguar shenja të ngadalësimit, me Rusinë që nisi një sulm të madh në kryeqytetin e vendit, Kiev, të mërkurën me një kombinim të raketave dhe dronëve.

Trupat e Koresë së Veriut gjithashtu janë konfirmuar të jenë të pranishme në luftë, me Departamentin e Shtetit të SHBA-së që tha se shumica e tyre po luftojnë për të larguar ushtrinë e Ukrainës nga toka ruse në rajonin e Kurskut, ku Ukraina nisi një inkursion të befasishëm në fillim të këtij viti.

Zyrtarët e Kievit thonë se Rusia ka dislokuar rreth 50,000 trupa në një përpjekje për të larguar ushtarët ukrainas nga rajoni i Kurskut. /Telegrafi/

Exit mobile version