Telegrafi

Blinken shkruan për telefonatën me Vuçiqin, e falënderon për “angazhimin konstruktiv”

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ndërkaq bëri të ditur se e ka falënderuar për angazhimin konstruktiv me ekipin e SHBA-së dhe BE-së që ditë më parë ishin për vizitë në Serbi, për intensifikimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje.

Blinken në një postim në Twitter thotë se e ka falënderuar Vuçiqin edhe për hapjen ndaj propozimit të BE-së.

“Fola me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për ta falënderuar për angazhimin e tij konstruktiv me ekipin e SHBA-së dhe BE-së javën e kaluar dhe për hapjen e tij ndaj propozimit të BE-së për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, i cili është thelbësor për sigurimin e së ardhmes evropiane të Serbisë”, tha Blinken.


Për bisedën me Blinken ka folur edhe presidenti i Serbisë, Vuçiq.

Sipas tij, temë e bisedës me zyrtarin amerikan ishte situata në Kosovë, rruga evropiane e Serbisë dhe marrëdhëniet bilaterale ndërmjet vendit të tij dhe shtetit amerikan.

Lexo po ashtu Vuçiq thotë se ka folur në telefon me Blinkenin për Kosovën

“Kemi shkëmbyer mendime për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar ai në Instagram.

I pari i shtetit serb pohon t’i ketë konfirmuar kryediplomatit amerikan se “paqja dhe stabiliteti në të gjithë rajonin dhe një e ardhme e sigurt ekonomike, janë synimet kryesore për të gjithë njerëzit që jetojnë në Ballkanin Perëndimor”.

Zyra e Presidentit serb njoftoi se të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që Serbia dhe SHBA-të kanë mundësi të shumta për përmirësimin e partneritetit dhe bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme. /Telegrafi/