Site icon Telegrafi

Blinken në turne diplomatik për të siguruar armëpushim në Gazë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të qëndrojë sot në Egjipt dhe Izrael, në kuadër të përpjekjeve të tij për të siguruar armëpushim në Gazë.

Ai do të takojë presidentin egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, në Kajro përpara se të udhëtojë në Izrael, ku do të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant.

Gjatë javës, diplomati i lartë amerikan do të udhëtojë gjithashtu në Jordani dhe Katar.

Lufta në Gazë ka nisur tetorin e kaluar, kur Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – ka sulmuar Izraelin, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.

Në përgjigje, Izraeli është duke zhvilluar një fushatë intensive sulmesh në Gazë, gjatë së cilës, sipas autoriteteve të Hamasit, janë vrarë mbi 37.000 njerëz.

Vizita e Blinkenit vjen pasi presidenti amerikan, Joe Biden, ka prezantuar më 31 maj një plan për armëpushim nga Izraeli, i cili përfshin fundin e përhershëm të armiqësive, lirimin e pengjeve izraelite dhe të të burgosurve palestinezë, si dhe rindërtimin e Gazës. /rel/

Exit mobile version