Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani tha të martën se Hamasi kishte reaguar pozitivisht ndaj planit të fundit për një armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve.
Komentet e kryeministrit të Katarit erdhën pas një takimi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili gjendet për një vizitë disa-ditore në Lindjen e Mesme.
Përgjigja e grupit militant palestinez ishte “përgjithësisht pozitive”, tha ai, raporton euronews.
Në një deklaratë të lëshuar të martën, grupi palestinez tha se iu përgjigj propozimit të armëpushimit “në një frymë pozitive”, por ende dëshiron një armëpushim të plotë dhe përfundimin e ofensivës.
Katari, i cili po luan rolin e ndërmjetësit për Hamasin, ka punuar me SHBA-në dhe Egjiptin për të gjetur një zgjidhje rreth një armëpushimi dhe lirimit të pengjeve.
Blinken konfirmoi se ishte informuar me përgjigjen e Hamasit ndërsa këtë do t’ia transmetonte liderëve të Izraelit kur ta vizitonte të mërkurën Tel Avivin.
Ndryshe, Izraeli ka nisur ofensivën ndaj militantëve të Hamasit pasi këta kishin organizuar një sulm terrorist në Tel Aviv, ku kishin vrarë rreth 1200 persona dhe marrë mbi 250 pengje. Numri i të vdekurve palestinezë nga gati katër muaj lufte ka arritur në 27,585, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës. /Telegrafi/