Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken në konferencën e përbashkët me kryeministrin shqiptar Edi Rama ka folur edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe dialogun me Serbinë.
Blinken tha se sfida më e madhe në fillim të punës së tij para shumë vitesh ishte Ballkani.
“Kur nisa të punoja në Shtëpinë e Bardhe rreth 30 vite më parë sfida kryesore ishte Ballkani, në fillim Bosnja më pas Kosova. Shumë prej nesh kanë një histori të gjatë me rajonin. Ju e dini shumë mirë se Presidenti Biden ka lidhje shumë të gjatë me Ballkanin”.
Blinken shtoi se vendi i tij e di se çfarë ka ndodhur në rajon 30 vjet më parë, ndaj “nuk mund të ketë përsëritje të saj”.
“Ne nuk mund të çojmë mbrapa ngjarjet dhe nuk mund të përsëritet ajo që ka ngjarë në vitet ’90. Jemi të përkushtuar për të çuar përpara integrimin e Ballkanit në BE”, tha Blinken, përcjell Telegrafi.
Ai tha se SHBA-ja do të punojë edhe me “Shqipërinë dhe të tjerët” për t’i ndihmuar Kosovën e Serbinë që të avancojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është i duhuri dhe shtegu i vetëm për të ecur përpara. Ne jemi të vendosur për të mbështetur të gjitha vendet e rajonit për integrime dhe mbështesim dialogun. Përgëzoj rolin e Shqipërisë pasi ka treguar një stabilitet rajonal”, ka deklaruar Blinken.
“Ne e dimë se cila është alternativa se e kemi përjetuar, e kemi parë prandaj jemi të vendosur që të mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE dhe të punojmë që të shkojmë përpara në këtë shtet”, ka shtuar Blinken.
Sekretari Amerikan i Shtetit nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për një vendim të BQK, që ndaloi përdorimin e dinarit serb në vend dhe që nxiti reagim të fuqishëm të diplomatëve amerikanë./Telegrafi/