Telegrafi

“Blindohet” Rinasi, ekstradohet nga Belgjika Leonard Duka, armiku i Ervis Martinajt

Shtetasi Leonard Duka është ekstraduar nga Belgjika në Shqipëri, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana.

Ai ka qenë nën masën e sigurisë “arrest me burg” nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për “vrasje me dashje në bashkëpunim”.

Ekstradimi i Duka-s u realizua nga Drejtoria e Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Bruksel dhe strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit.

Leonard Duka ishte i kërkuar për veprat penale si “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve”, “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet ka rezultuar se Duka dhe gjashtë shtetas të tjerë janë autorët e dyshuar të një ngjarjeje të ndodhur në vitin 2019, në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi S. M. Po ashtu, Duka ka planifikuar vrasjen e shtetasve Er. Ma. dhe Er. Mi., si dhe të anëtarëve të tjerë të grupit të tyre.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka falenderuar Zyrën e Interpol Bruksel për bashkëpunimin dhe të gjitha njësitë e angazhuara në realizimin me sukses të këtij operacioni ekstradimi./Telegrafi/