Ai është kreu i një prej agjencive më të mëdha të medias në botë, duke punësuar 8,000 njerëz në 100 vende.
Por Stephen Allan thotë se udhëtimi i tij në këtë nivel filloi duke i blerë një të panjohuri një pije në një pijetore, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Stephen, 55 vjeç, është kreu global i MediaCom, e cila merret me reklama për gjigantët si Tesco, Gillette dhe Budweiser.
Arritja e lartësive të tilla ndoshta ishte e paparamenduar kur, si një 17 vjeçar, ai i dërgoi 82 letra agjencive që kërkonin punë – dhe mori 82 refuzime.
Një entuziast i fotografisë, i cili “mendonte se nuk kishte asnjë arsye” për të shkuar në universitet, Stephen kishte vendosur të ndiqte një karrierë në reklama, por shpejt e kuptoi se kishte nevojë që ai të mos merrte një hap të tillë, pa e njohur dikë në këtë industri.
Ai i tha BBC: “Unë nuk e njihja askënd në reklama. Gjeta një pijetore të veçantë në Soho në Londër, një vend i njohur për njerëzit e industrisë së reklamave. Si një 18 vjeçar fillova të paguaja pijet për të panjohurit. Për befasi, një nga njerëzit që i pagova një pije më tha se ai ishte duke punuar në një agjenci reklamash. Dhe ai më tha, ‘nëse vini këtë mbrëmje në orën gjashtë në zyrat tona, unë do t’ju aranzhoj një takim me drejtorin tim’”.
Kështu Stephen u paraqit në zyrë, ku fillimisht askush nuk e dinte se kush e kishte ftuar, përcjell Telegrafi.
Pas kësaj, atij iu ofrua një provë pune dy javore, të cilën ai e kaloi duke analizuar vlerësimet televizive për programet e futbollit, pasi kompania po bënte punë konsulence për Federatën e Futbollit të Anglisë.
Me një referencë të mirë në duart e tij, ai u shkroi disa agjencive të medias që ai u kishte shkruar edhe më parë dhe kësaj radhe mori dy intervista.
Të dy agjencitë i ofruan atij një punë, dhe Stephen zgjodhi The Media Business, një nga agjencitë e para të planifikimit dhe blerjes së mediave në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipërmarrësi i ri ambicioz punoi në rrugën e tij deri në atë shkallë, kur në vitin 1999, agjencia u ble nga MediaCom dhe ai u bë krye-ekzekutiv i Mediacom UK.
Gjatë rrugëtimit të tij, ai katërfishoi faturimet e saj për t’u bërë agjencia e parë e medias në Mbretërinë e Bashkuar.
Ai u emërua kryetar dhe CEO i MediaCom Worldwide në gusht të vitit 2008, në të njëjtin vit ai u votua si Campaign Media Achiever of the Year. /Telegrafi/