Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në një konferencë për media ka folur për çështjen e teksteve shkollore.
Nagavci ka shtuar se furnizimi i nxënësve me tekste shkollore për vite me radhë ka qenë mjaft sfidues, për shkak të shumë sfidave. Ajo ka deklaruar se procesi i rishikimit të teksteve shkollore ka nisur, me rekomandime të Institutit Pedagogjik dhe të Avokatit të Popullit.
Nagavci u shpreh se gjetjet e këtyre dy institucioneve janë shumë të rëndësishme, derisa shtoi se disa tekste shkollore kanë përmbajtje diskriminuese “sidomos për persona me nevoja të veçanta”.
“Do të veçoj rishikimin e teksteve, pos shumë diskutimeve që kanë qenë publike, kemi filluar një rishikim të strukturuar të teksteve. Kemi një raport të Institutit Pedagogjik për rishikimin e teksteve me gjetje të rëndësishme. Kemi një raport të Avokatit të Popullit i cili vite më parë ka vlerësuar se tekstet shkollore janë diskriminuese, sidomos të personave me nevoja të veçanta, andaj ne i kemi adresuar këto. Së fundmi kemi filluar rishikimin e teksteve të gjuhës shqipe dhe të matematikes nga klasa e parë deri në të nëntën”, deklaroi ajo.
Ajo ka shtuar se është duke u shqyrtuar mundësia që mjetet për blerjen e teksteve shkollore tu kalohen në llogaritë e prindërve.
“Jemi duke e shqyrtuar mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore sipas obligimit ligjor të bëhet në llogaritë e prindërve, brenda dy tri ditëve do të vendoset për këtë mundësi që po e shqyrtojmë. Gjithashtu kemi përgatitur edhe platformën për aplikim në platformën e-kosova dhe kemi shqyrtuar të gjitha mundësitë që në njërën anë të kemi tekste cilësore për fëmijët dhe kujdes për buxhetin e shtetit”, tha Nagavci.
Në anën tjetër zëvendësministri, Taulant Kelmendi, u shpreh se edhe këtë vit kemi zgjedhur ekipin negociues nga MASHTI i cili brenda afateve ligjore ka negociuar për çmimin e teksteve shkollore veç e veç për secilin libër, shkruan Telegrafi.
Zëvendësministri tha se shtëpitë botuese nuk kanë pranuar për ulje të çmimeve.
“Pas shumë tentimeve për të zbritur çmimet në nivelin e përballueshëm për buxhetin e ndarë shtëpitë botuese nuk e kanë pasur mirëkuptimin. Së fundmi kanë dërguar letra se çmimet e tyre janë të panegociueshme. Kjo situatë dhe kjo gjendje e krijuar është e papërballueshme për MASHTI-n dhe buxhetin e shtetit. Ne nuk mund të kalojmë asnjë skemë të keq shfrytëzimit të taksave të qytetarëve tanë”, tha Kelmendi.
Ai mori shembull se libri “Shoqëria dhe Mjedisi” i klasës së tretë bashkë me fletoren e punës kap shifrën 27 euro, ose një libër tjetër i klasës së katër me fletoren e punës në gjuhën boshnjake kap shifrën 30 euro.
“Kemi edhe shumë raste tjera të ngjashme të papranueshme ku libra për lëndë të caktuara kalojnë shifrën 25 euro Vetëm pesë viteve të fundit për blerjen e teksteve shkollore janë shpenzuar 51 milionë e 898 mijë e 744 euro”, tha Kelmendi.
Ai shtoi se janë duke shqytar që mjetet të kalojnë tek prindërit në koordinim me MF-më, dhe që aplikimi të bëhet përmes e-kosova.
“Procesi është menduar të zgjasë jo më shumë se 10 minuta, dhe nëse veçse vendoset një gjë e tillë besoj që brenda shumë pak kohësh do të publikojmë edhe të dhënat dhe mënyrën sesi duhet aplikuar”, tha Kelmendi. /Telegrafi/