Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, i ka radhitur disa prej punëve të tij të muajit dhjetor, muaj të cilin e ka quajtur muaj të sukseseve. Postimin e tij mund ta lexoni të plotë më poshtë.
“Për dhjetorin e sukseseve…
16 dhjetor: Prezantimi i Fondit për Efiçiencën e Energjisë
17 dhjetor: Përurimi i Autostradës Energjetike dhe Nënshkrimi i Marrëveshjeve me Shqipërinë për Shkëmbimin Energjetik
18 dhjetor: Nënshkrimi i Marrëveshjes për Termocentralin Kosova e Re me Kompaninë Amerikane Contour Global.
Pas plotë 1 dekade përpjekjeje.
Investim 1 miliard euro.
Më i madhi investim i huaj direkt në historinë e shtetit tonë, edhe pas luftës edhe para luftës.
Do të përdoret teknologjia më e re që përmbushë të gjitha standardet mjedisore. Do të ketë çmime të përballueshme dhe do të krijohen mekanizma zbutës tariforë. Nuk do të rëndohet as 1 cent buxheti i shtetit tonë.
Me mijëra vende pune.
Nuk do të humben më nga 300 milionë euro në vjet si pasojë e mosfurnizimit të rregullt me energji elektrike.
Imazh i jashtëzakonshëm për shtetin tonë dhe për tërheqjen e investimeve të tjera. Së shpejti edhe One Stop Shop për investimet në fushën e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
Pak më vonë do të vie radha e regjenerimit të kapaciteteve ekzistuese.
Edhe shumë e shumë lajme pozitive.
Rubrika e lajmeve pozitive do të pasurohet gjithnjë.
Këtu, fatkeqësisht, nuk ka vend për gazin, djegien, trazirat, akuzat, shpifjet, thashethemet, paragjykimet, sepse me to nuk ndërtohet as shteti e as ekonomia e tij.
Mënyra më e mirë për ta përmbyllur një vit të vështirë që po e lëmë pas.
Ndjenjë e jashtëzakonshme që me 5 fotografi dhe disa fjali ta dëshmosh punën dhe projektet me të cilat do të transformohet sektori më i rëndësishëm për ekonominë e vendit tim.
E se sa e kemi pas të vështirë dhe sa jemi munduar për të ardhur deri këtu e dimë vetëm ne dhe familjet tona që bashkëjetuam me momente aspak të lehta për gati 365 ditë. Mjaftojnë vetëm t’i kujtojmë ditët e vështira të negociatave me investitorin amerikan dhe Bankën Botërore kur dukej se projekti po dështonte. Por, mendjet tona, idetë e qarta, besnikëria ndaj objektivave fisnike, durimi i pathyeshëm, vendosmëria e paluhatshme dhanë rezultatet që jo shumë njerëz prisnin të ndodhnin”, ka shkruar ministri Stavileci, i cili ka shprehur mirënjohje edhe për ekipin, zyrtarët e MZHE-së dhe bashkëpunëtorët e tij.” (sic.), ka shkruar Stavileci. /Telegrafi/