Ballkani ka vazhduar ecurinë e fitoreve derisa ka triumfuar në shtëpinë e Feronikelit me rezultat të pastër 0-2.
Kampionit në fuqi nuk i bëri punë as ndryshimi në shtabin teknik, derisa magjiku Blendi Baftiu me dy gola i siguroi fitoren mysafirëve.
Ndeshja nisi me vendasit të cilët rrezikuan të parët nëpërmjet Besmir Bojkut, por që goditja e tij shkoi mbi portë.
E në rastin e parë të mirë, mysafirët realizuan gol, kur futbollisti më i mirë i tyre Blendi Baftiu realizoi pas një gabimi të mbrojtjes vendase.
Me epërsinë 0-1 të mysafirëve përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Në pjesën e dytë Feronikeli nisi të sulmoj furishëm drejt portës mysafire ku fillimisht tentoi Jean Carioca, por pa sukses.
Rast të mirë pati edhe Kastriot Rexha në minutën e 63-të, por goditjen e tij me kokë e priti Armend Ruxhi i mysafirëve.
Dy minuta më vonë Ballkani realizoi përsëri dhe përsëri ishte magjiku Blendi Baftiu që realizoi golin e nëntë këtë edicion.
Deri në fund vendasit tentuan të bënin diçka më shumë, por nuk ia arritën përballë mbrojtjes së fortë të mysafirëve.
Kësisoj Ballkani vazhdon të kryesojë në Ipko Superligë me 29 pikë, pesë më shumë se Drita që ndodhet e dyta.
Ndërkohë Feronikeli tani është në pozitën e shtatë në tabelë me 19 pikë. /Telegrafi/