“Black Panther” ka vazhduar t’i lë prapa të gjithë filmat sa i përket shikueshmërisë duke kaluar shifrën e përfitimeve prej një miliard dollarësh (810.000 euro).
Në javën e katërt të shfaqjes nëpër kinema, sipas Forbes, filmi ka përfituar 41.5 milionë dollarë në ‘box-office’ duke kaluar shifrën prej gjysmë miliardi dollarë vetëm në Amerikë (saktësisht 561 milionë dollarë).
Ndërsa kur ia bashkojmë kësaj shifre edhe shumën e përfitimeve të fituara në vendet tjera (442 milionë dollarë), atëherë “Black Panther” ka fituar mbi një miliard dollarë për 24 ditë nga fillimi i shfaqjes nëpër kinematë botërore.
Ky është vetëm filmi i 33-të në histori që e kalon këtë shumë përfitimesh, i 16-ti nga Walt Disney dhe i pesti nga Marvel Cinematic Universe (MCU).
Në këtë aspekt, shoqërohet nga hit filmat e kësaj kompanie, si “Avengers”, “Avengers: Age of Ultron”, “Iron Man 3” dhe “Captain America: Civil War”.
Padyshim se ky film është në rrugë që të shndërrohet në një prej filmave më të suksesshëm me një superhero.
Në ndërkohë, është duke u punuar filmi i radhës për “Avengers” që është caktuar të lansohet në muajin prill. /Telegrafi/