Site icon Telegrafi

Bjellorusia dënon me vdekje një gjerman

Një mjek gjerman i akuzuar nga Bjellorusia për kryerje të krimeve, duke përfshirë “terrorizëm” dhe “veprimtari mercenare” është dënuar me vdekje, ka njoftuar grupi bjellorus për të drejtat e njeriut, Viasna.

Bëhet e ditur se Rico Krieger, 30 vjeç, u dënua sipas gjashtë neneve të kodit penal të Bjellorusisë në një gjyq të fshehtë të mbajtur në fund të qershorit.

Një pjesë e procedurave është mbajtur me dyer të mbyllura, ndërsa akuzat e sakta kundër tij nuk ishin shumë të qarta.

Rasti thuhet se mund të lidhet me Regjimentin Kalinouski, një grup luftëtarësh vullnetarë që luftojnë kundër Rusisë në luftën në Ukrainë.

Ai konsiderohet një grup ekstremist në Bjellorusi, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

Ende nuk është e qartë se çfarë lidhje mund të ketë pasur Krieger me grupin, por mediat opozitare bjelloruse raportuan se ai mund të ketë qenë i lidhur me një njësi brenda Kalinouski, të njohur si batalioni “Perëndimor”.

Krieger u dënua për gjashtë krime: “veprime të paligjshme në lidhje me armët e zjarrit”, “paaftësim të rrugëve të transportit ose komunikimit”, “krijimin ose pjesëmarrjen në një grup ekstremist”, “aktivitetin e inteligjencës”, “veprimtari mercenare” dhe ” terrorizëm”.

Ndryshe, kjo është hera e parë që dikush gjykohet për veprimtari mercenare në Bjellorusi, sipas Viasna.

Bjellorusia është i vetmi vend evropian që ka dënimin me vdekje, duke e rezervuar atë për krime të rënda duke përfshirë vrasje në rrethana rënduese, terrorizëm dhe tradhti.

Ajo raportohet të ketë ekzekutuar deri në 400 njerëz që kur fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, sipas Amnesty International, por ekzekutimet e shtetasve të huaj janë të rralla.

Vendi drejtohet si një regjim autoritar nga lideri për një kohë të gjatë Alexander Lukashenko, i cili ka arrestuar mijëra disidentë dhe aktivistë qytetarë që e kundërshtojnë atë. /Telegrafi/

Exit mobile version