Përfaqësues të kompanive nga sektori ndërtimor dhe energjetika po qëndrojnë për vizitë në Hamburg, Gjermani, ku janë njoftuar me njohuritë më të reja në pjesën e zbatimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe efikasitetit energjetik gjatë ndërtimit të objekteve, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Udhëtimin treditor në Hamburg e ka organizuar delegacioni i odës gjermane në Maqedoni në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës së Republikës Federale të Gjermanisë.
Delegacionin e Maqedonisë e kanë përbërë 15 përfaqësues të kompanive nga industria ndërtimore e Maqedonisë, agjencisë për energjetikë të Maqedonisë, MEPSO dhe konsultues – ekspertë në sektorin për energjetikë.
Qëllimi i udhëtimit ishte njohja me teknologjitë bashkëkohore të cilat shfrytëzohen gjatë ndërtimit të objekteve të reja, shtëpive pasive të cilat në mënyrë të pavarur i kënaqin nevojat nga energjia elektrike, ndërsa tepricën e prodhimtarisë e shesin në tregun liberal energjetik.
Nga ana e Nikollas Kllosterman nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, mbrojtje të natyrës dhe ndërtimtarisë,. delegacioni i Maqedonisë u informua për përparësitë gjatë shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë në objekte të larta komplekse, si dhe për masat për mbështetje që i marrin nga Qeveria gjermane gjatë ndërtimit dhe sanimit të objekteve.
Delegacioni e vizitoi edhe qendrën e ekspozuar për ndërtim efikas modern dhe energjetik në qytetin Bremen, i cili e ka rolin e trupit këshillëdhënës për blerësit e ardhshëm të shtëpive, ndërtuesve të institucioneve dhe firmave, të cilët shërbimet e tyre ua japin falas, njofton AIM.
Në Hamburg, delegacioni ka bërë turne nëpër rripin e gjelbër kur shqyrtohen projektet aktuale efikase energjetike të përshtatura në strukturën klimatike të qytetit, ndërsa dita e fundit e vizitës u shfrytëzua për turne në bunkerin energjetik në Vilhemsburg, i cili është ndërtuar në Luftën e Dytë Botërore dhe shfrytëzohet për mbrojtjen e 500.000 qytetarëve të Hamburgut, dhe i cili sot shërben si bunker për deponimin e energjisë elektrike. /Telegrafi/