Biznesmeni argjentinas Vences Kaseres, që është drejtor i një firme start-up “Ksapo”, ruan dhjetëra miliarda dollarë vlerë bitcoin të klientëve nga e mbarë bota, nëpër bunkerë të ndryshëm përfshirë edhe ata ushtarak në malet e Zvicrës.
Prapa dyerve të betonit dhe tuneleve të gjatë fshihen serverët e kompjuterëve në të cilët gjendet “çelësi” i pasurisë së madhe digjitale, transmeton Telegrafi.
Kaseres ka arritur të bindë milionerët dhe miliarderët nga Lugina Valley që Bitcoin është valuta e së ardhmes për të cilën kanë nevojë, dhe se njeriu adekuat për ruajtjen e tyre – është pikërisht ai.
Nuk është e mundur të ceket vlera e saktë e bitcoinëve, për faktin se çmimi i këtyre kriptovalutave varion. Ekspertët pretendojnë se në duart e milionerëve dhe miliarderëve, ekzistojnë 7 për qind e tregut botëror të bitcoinit.
Ky është një mision tejet i vështirë për kompaninë e Kaseresit, e cila është themeluar vetëm katër vite më parë, ku sipas vlerësimeve të tij rreth 95 për qind e bankave të SHBA-ve kanë depozituar mjete tek ai.
Kompaninë e Kaseresit e mbikëqyr kompania financiare “Standards Association” që kontrollon në detaje anëtarët, me qëllim që të sigurohen se u përshtaten rregullave të tyre që ekskluzivisht kanë hyrë në fuqi me të vetmin qëllim – parandalimin e pastrimit të parave.
Në listën e klientëve apo atyre që përkrahin “bunkerët e bitcoinëve” të Kaseresit janë “Linkedin” në krye me Rid Hofman dhe ish-bankieri i Wall Street, Mike Novogracki që aktualisht po punon në hapjen e një banke të kriptovalutave.
Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se kriptovalutat aktualisht vlejnë 707 miliardë dollarë. /Telegrafi/