Site icon Telegrafi

Bizneset kosovare vendosin kontakte me biznese si dhe me institucione amerikane

Nën organizimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, një delegacion i bizneseve të Kosovës po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit në fushën ekonomike.

Delegacioni ka zhvilluar takime me institucione të rëndësishme të cilat kanë selinë e tyre në Uashington DC, si në Senatin amerikan, Odën Ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Departamentin e Tregtisë, me përfaqësues të Administratës së Tregtisë Ndërkombëtare, agjencisë Select USA dhe Korporatën e Investimeve Private Tejoqeanike (OPIC).

Gjatë këtyre takimeve, delegacioni i bizneseve kosovare ka prezantuar zhvillimet pozitive në aspektin e të bërit biznes si dhe është interesuar për gjetjen e partnerëve amerikanë për realizimin e projekteve të përbashkëta investive në Kosovë, për të cilat do të mund të siguroheshin financime nga organizata si OPIC, të cilët u shprehën të interesuar për financim të projekteve të mundshme.

Delegacioni, pati takime edhe me ambasadoren e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ku u diskutua për fuqizimin e diplomacisë ekonomike me qëllim të një promovimi më të mirë të produkteve nga Kosova në shtetet ku operojnë përfaqësitë diplomatike të Kosovës, por edhe nxitjen e bashkëpunimit më të madh ekonomik me bizneset e shteteve nikoqire. Delegacioni u prit edhe nga ambasadorja e Shqipërisë në Uashington, Floreta Luli-Fabër.

Bizneset kosovare nga sektorë të ndryshëm si prodhim, tregti, shërbime konsulentë, teknologji e informacionit dhe shërbime të kujdesit mjekësor qëndroi edhe në Richmond të shtetit të Virxhinias, ku u prit nga kompania amerikane Williams Mullen, ndërsa zhvilloi takime edhe me përfaqësues të shoqatës së bizneseve Greater Richmond Partnership si dhe Lead Virginia. Gjatë vizitës në Universitetin James Madison, bizneset nga Kosova patën mundësi të mësojnë më tepër për programet e ndërmarrësisë që zhvillohen në këtë universitet. /Telegrafi/

Exit mobile version