Site icon Telegrafi

Bizneset ia tregojnë problemet kryeministrit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa pati një takim me drejtuesit e bizneseve kosovare ku përmendi të arriturat e Qeverisë që ai udhëheq gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti.

Mustafa tha se është arritur që bizneset të kenë kushte më të mira të punës për dallim prej viteve të kaluara duke ulur kështu edhe kamatat për kredi për biznese nga 8.2 për qind në 6.2 për qind të cilat sipas tij ndihmojnë në lehtësimin e punës së bizneseve, njofton Klan Kosova.

Kryeministri përmendi edhe investimet e mëdha kapitale në vend si ai i Termocentralit “Kosova e Re” i cili do të kushtoj 1 miliard euro ndërsa tregoi se janë në bisedime me kompani amerikane sa i përket këtij projekti.

Kreu i Qeverisë Isa Mustafa tha se një investim tjetër kapital që pritet të realizohet gjatë qeverisjes së tij është edhe rezorti i Brezovices që pritet të ketë investim 400 milionë euro dhe do të gjenerojë 3000 vende të reja të punës.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se pavarësisht uljes së kamatës dhe përpjekjeve për të ndaluar korrupsionin, bizneset e huaja dhe vendore po përballen me një problem të ri që është mungesa e energjisë elektrike dhe çmimi i lartë i saj.

Prodhuesit u shprehën se Qeveria duhet të fokusohet më shumë që të përkrahë prodhimet vendore dhe ky sektor të jetë pikë strategjike e Qeverisë.

Po ashtu gjatë këtij takimi u tha se Qeveria shumë shpejt do të aprovojë pakon e re fiskale ku pritet që disa produkteve t’u hiqet TVSH. /Telegrafi/

Exit mobile version