Bizneset evropiane në Kinë po vënë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje pozicionet e tyre përballë ligjeve të reja të sigurisë dhe një politizimi të tregtisë në këtë vend.
Sipas komisionarit të Bashkimit Evropian për Tregtinë, Valdis Dombrovskis kompanitë evropiane janë të shqetësuara në atë se çfarë po ndodh në Kinë.
“Kompanitë evropiane janë të shqetësuara me drejtimin e Kinës. Shumë prej tyre janë duke vënë në dyshim pozicionin e tyre në këtë vend”, tha Dombrovskis.
BE-ja është ankuar prej kohësh për mungesën e kushteve të barabarta në Kinë dhe politizimin e mjedisit të biznesit. Shqetësimi u kthye në kujdes pas lëvizjes së Pekinit për të forcuar lidhjet me Moskën, pavarësisht luftës në Ukrainë.
Dombrovskis vuri në dukje ligjin e ri për marrëdhëniet me jashtë dhe një përditësim të fundit të ligjeve të Kinës kundër spiunazhit si “shqetësim të madh për komunitetin evropian të biznesit”.
“Kjo do të thotë që kompanitë evropiane luftojnë për të kuptuar detyrimet e tyre të pajtueshmërisë: një faktor që ul ndjeshëm besimin e biznesit dhe pengon investimet e reja në Kinë”, shtoi ai.
Refuzimi i Kinës për të dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë përbën gjithashtu një “rrezik reputacioni”.
“Pozicioni i Pekinit po ndikon në imazhin e vendit, jo vetëm me konsumatorët evropianë, por edhe te bizneset”, tha Dombrovskis.
Kina ka kërkuar të pozicionohet si një palë neutrale në konfliktin e Ukrainës, ndërkohë që i ofron Moskës një rrugë shpëtimi jetike diplomatike dhe financiare derisa thellohet izolimi i saj ndërkombëtar. /Telegrafi/