Site icon Telegrafi

Bizneset e Podujevës shprehin shqetësimet për pengesat e mëdha të të bërit biznes

Bashkëbisedimi me bizneset për problematikat me të cilat po përballen gjatë operimit të tyre dhe prezantimi i propozimeve që Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka përgatitur për Qeverinë e re, ishte qëllimi kryesor i aktivitetit “Kafja e mëngjesit me bizneset” e regjionit të Podujevës.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi theksoi rëndësinë e organizimeve të përbashkëta të kësaj natyre, ku potencoi se bizneset mund te shprehin të gjitha shqetësimet e tyre, ku më pas do të adresohen nga OAK dhe do të lobohet për arritjen e zgjidhjeve konkrete.

Krasniqi gjithashtu shpalosi një nga një pikat të cilat OAK i ka përgatitur si rekomandime për Qeverinë e ardhshme e të cilat duhet të merren parasysh në mënyrë që të krijohen lehtësira për bizneset dhe të përmirësohet klima aktuale e të bërit biznes në vend.

Gjatë diskutimit të hapur bizneset patën rastin që të ngritin disa nga shqetësimet që hasin gjatë procesit të punës.

Pronari i biznesit “DUGLAS”, Sinan Sfishta theks të veçantë i kushtoi çështjes së funksionimit të gjykatave, të cilat marrin kohë vite të tëra për të reaguar ndaj një çështje të ngritur nga bizneset, duke vazhduar që si biznes prodhues që janë kanë mungesë të përkrahjes nga ana e institucioneve të vendit.

Përfaqësuesi i biznesit “LABERION” Naim Osmani theksoi se ligji për tregti të brendshme, si dhe ligji për TVSH është më se i nevojshëm për bizneset e Kosovës, në mënyrë që ato të mos hapen pa analiza paraprake dhe të mos dëmtojnë bizneset ekzistuese.

Ndërsa, pronari i biznesit “EING COM” Eljesah Podvorica që merret me ndërtim, përgëzoi për organizimin dhe theksoi faktin që komuna e Podujevës ka mungesë të projekteve të mirëfillta të kësaj veprimtarie.

Pronarja e biznesit “MC UNIT” Afërdita Gashi veçoi rëndësinë e përkrahjes së bizneseve fillestare, sidomos dy vitet e para të cilat është e rëndësishme që të lirohen nga obligimet në ATK, në mënyrë që të kenë hapësirë për të operuar, e të cilat pastaj mund të vlerësohen në bazë të qarkullimit të tyre, por jo të hyjnë menjëherë në obligime.

Enver Shabani, pronari i biznesit “ADRIATIKU SHPK” që merret me ndërtime të larta, problem kyç theksoi se është energjia elektrike, dhe investimet vetanake për të cilat detyrohen bizneset që t’i realizojnë.

Gjithashtu, si problematikë tjetër theksoi edhe çështjen e tatimit në pronë, që bizneset obligohen të paguajnë ende pa u bërë pranimi teknik i objekteve.

Ndërsa pronari i biznesit “MBULOJA SHPK” Selman Sfishta theksoi problemet me të cilat përballet ai si biznes i sektorit të tjegullave dhe ballafaqimin me konkurrencën jo lojale në treg.

Exit mobile version