Site icon Telegrafi

Bitcoini rritet me 40 për qind në vitin 2024

Bitcoin mbyll javën me 62.8 mijë dollarë për njësi, duke vijuar trendin rritës në bursë. Monedha më e madhe kripto në botë ka vijuar ecurinë rritëse në treg, ku që nga fillimi i vitit, vlera e saj është rritur me 40 për qind për shkak dhe të njohjes institucionale në SHBA.

Çmimi i një njësie Bitcoin në tregun e kriptomonedhave po vijon rritjen duke kapërcyer vlerën e 62 mijë dollarëve.

Gjatë fillimit të javës monedha kripto më e madhe në botë, këmbehej me 56 mijë dollar.

Ditën e martë ajo u këmbye me 64 mijë dollarë për njësi, ndërkohë që në mbyllje të javës, në bursën ndërkombëtare të kriptovalutave ajo po e mbyll me një çmim prej 63,385 dollarë.

Vetëm gjatë kësaj jave këmbimi, çmimi i Bitcoin u rrit me mbi 20 për qind, raporton euronews.

Vlera e kriptomonedhës më të madhe në botë po vijon të rritet, duke arritur nivele që nuk janë parë në më shumë se dy vjet. Që nga nëntori i vitit 2021, ku monedha kapi vlerën në treg prej 64 mijë dollarë për njësi, rritja e javës së fundit i ka nxitur optimizëm për spekulatorët e tregut, të cilët presin që, me këto ritme ajo ti afrohet rekordit prej 69 mijë dollarëve.

Rritja e vlerës së Bitcoinit ka ndikuar dhe në rritjen e vëllimit të tregtimit në valutat e tjera të kriptuara.

Etherium, kripto e dytë më e tregtuar pas Bitcoin, e mbylli javën me 6.4 mijë dollarë për njësi, duke u rritur me 15 për qind dhe duke u dyfishuar krahasim me vitin e kaluar.

Duket se njohja e investitorëve institucional më në fund zgjoi maninë dhe kredibilitetin në investim në tregun e kriptovalutave duke nxitur një rritje të vëllimit të këtij tregu.

Sipas të dhënave, vëllimi total i tregut të kriptovalutave ka arritur në 2 trilionë dollarë, ku Bitcoin zë më shumë se gjysmën e vëllimit të përgjithshëm.

Më 10 janar, komisioni i shkëmbimit të letrave me vlerë në SHBA miratoi fondet për tregtimin dhe shkëmbimin për Bitcoin. Që nga ajo ditë vëllimi i tregtimeve dhe vlera e kriptove vazhdon në rritje, ku që nga fillimi i vitit, Bitcoin u rrit me 40 për qind.

Exit mobile version