Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka uruar Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore pasi këto shtete nisen procesin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, teksa ka theksuar se tashmë koha është për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Në një postim në llogarinë e tij në Twitter, për Bislimin tashmë është koha për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Urime Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në këtë ditë historike të hapjes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Përshpejtimi i procesit të zgjerimit është jetik për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Bislimi.
“Tani është koha për liberalizimin e shumëpritur të vizave për qytetarët e Kosovës dhe aplikimin e suksesshëm për anëtarësim në BE”, ka shkruar tutje zëvendëskryeministri.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të martën hapën zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në selinë e BE-së në Bruksel, më 19 korrik u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare, në të cilën Maqedonia e Veriut zyrtarisht i hapi negociatat.
Pas kësaj, u mbajt edhe konferenca me Shqipërinë, e cila ka qenë në bllokun e njëjtë me Shkupin, sa i përket rrugëtimit drejt BE-së.
Gjatë konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se vitet e fundit kanë qenë një sagë e vërtetë, me punë, vlerësime, pritje, premtime të pambajtura dhe rinisje të mundimshme.
Por, ai tha se Evropa mundëson që Ballkani Perëndimor të jetë një vend me paqe dhe prosperitet.
“Evropa me vlerat, parimet dhe standardet e saj, është ajo që e bën të mundur një Ballkan tjetër, një Ballkan paqeje, prosperiteti dhe sigurie. Një Ballkan i hapur i katër lirive të BE-së po ashtu. Duke filluar nga sot, bisedimet e anëtarësimit nuk e bëjnë ëndrrën tonë realitet, por e bëjnë realitetin një vend më të mirë për të ndjekur ëndrrën. Ne e dimë se ajo që kemi arritur deri tani është vetëm fundi i fillimit”, tha Rama.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha se hapja e bisedimeve me Shqipërinë, është një arritje e madhe si për Tiranën, ashtu edhe Brukselin.
“Ballkani Perëndimor është tej mase i rëndësishëm për BE-në dhe ky është një moment në të cilin kjo rëndësi po tregohet”, tha ai./Telegrafi/
Congratulations to 🇦🇱 & 🇲🇰 in this historic day of opening accession negotiations with 🇪🇺. Acceleration of enlargement process is vital for the European perspective of the WB.
Now is time for the long awaited visa lib. for Kosova citizens & successful EU membership application.
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) July 19, 2022