Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka treguar se si do të shpërblehen disa kategori që kanë qenë të ekspozuara nga rreziku i infektimit.
Bislimi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se kompensimi i të punësuarve do të bëhet në bazë të dëmit të pësuar e jo nga kategoritë e bizneseve, përcjell Telegrafi.
Duke marrë shembullin e gastronomeve, ai ka thënë se në atë sektorë janë 13, 500 të punësuar që përbëjnë rreth 6% të fuqisë punëtore të sektorit privat.
“Si numër duken shumë por sektori i gastronomisë përbën vetëm 1.5 % të GDP-së”.
Bislimi ka thënë se pagesë shtesë do të marrin sektorët që qeveria u ka kërkuar të dalin në detyrë duke u përballur me rrezikun.
Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve ka marrë shembull edhe kompensimin e furrtarëve.
“ATK do të kontaktojë pronarin e furrës dhe nga ai do të kërkojë listën e punëtorëve që i janë ekspozuar rrezikut, pra ata që kanë pasur punë me klientë e jo të gjithë”.
Bislimi ka thënë se do të kompensohen edhe pagat e hoxhallarëve pasi sipas tij një pjesë e tyre pagat i kanë marrë nga donacionet gjatë faljes ditën e premte.
“Ne i kemi ndaluar edhe ato aktivitete. Ne u qëndrojmë mbrapa në paga”, tha mes tjerash Besnik Bislimi./Telegrafi/